Ndërsa qeveria ecën përpara me legjislacionin që mund të rezultojë në ndalimin e TikTok-ut në të gjithë SHBA-në, ka një shqetësim në rritje për ndikimin që ndalimi i tij mund të ketë tek bizneset.
Projektligji i nënshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në prill, kërkon nga TikTok-u që të ndahet nga kompania mëmë kineze, ByteDance, e cila thuhet se ndërhyn në të dhënat e përdoruesve.
Por, TikTok-u i ka hedhur poshtë këto shqetësime.
Me më shumë se 150 milionë përdorues vetëm në SHBA, aplikacioni është bërë një platformë jetike për bizneset, veçanërisht për kompanitë e vogla dhe të mesme, për të nxitur shitjet.
Sipas të dhënave të aplikacionit të publikuara në mars të vitit 2024, më shumë se 7 milionë biznese të vogla amerikane e përdorin platformën.