Një ekip nga “Klick Labs” me bazë në ShBA krijoi një model të inteligjencës artificiale të aftë për të dalluar nëse një person ka diabet të tipit 2 nga gjashtë deri në 10 sekonda audio zëri, me teste që zbuluan një shkallë saktësie prej 89 për qind për gratë dhe 86 për qind për burrat.
“Hulumtimi ynë nxjerr në pah variacione të rëndësishme vokale midis individëve me dhe pa diabet të tipit 2 dhe mund të transformojë mënyrën se si komuniteti mjekësor kontrollon diabetin”, tha Jaycee Kaufman, shkencëtare hulumtuese në “Klick Labs”. “Metodat aktuale të zbulimit mund të kërkojnë shumë kohë, udhëtim dhe kosto. Teknologjia e zërit ka potencialin për t’i hequr plotësisht këto barriera”, shkruan “The Independent”, transmeton Klankosova.
Studimi përfshiu analizimin e 18 mijë të dhëna për të identifikuar veçoritë akustike që dallonin jo diabetikët nga diabetikët. Duke përdorur përpunimin e sinjalit, ata ishin në gjendje të zbulonin ndryshime delikate në lartësinë dhe intensitetin që janë të padukshme për veshin e njeriut.
Sipas shifrave nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit, mjeti mund të jetë i dobishëm për rreth 240 milionë të rritur në mbarë botën, të cilët aktualisht jetojnë me këtë gjendje pa e kuptuar.