Bashke

Anton Çetta: Me fal gjakun është burrni, me rujt gjakun e falun, asht’ ma zor se sa me fal

Pasi serbët kishin filluar të vrisnin shqiptarët në Kosovë në vitet e 90-ta, ata njëkohësisht nuk pranonin që vrasjet po i bënin vetë, madje filluan të fajësojnë shqiptarët që kinse po vrisnin njëri-tjetrin për hakmarrje, pasi sipas tyre në kulturën shqiptare, marrja e gjakut është traditë. Ata filluan me këtë lloj politike dhe i armiqësuan shqiptarët mes vete, duke i shtyrë të hakmerreshin ndaj njëri-tjetrit, pasi kjo u konvenonte serbëve që shqiptarët të vriteshin mes tyre, dhe të justifikonin vrasjet e tyre duke ua lënë fajin shqiptarëve.

Në këtë mënyrë, shqiptarët të paraqiteshin para botës me një formë sa më të keqe, kinse janë njerëz primitivë që ende vrasin njëri-tjetrin. Kultura e gjakmarrjes te shqiptarët thuhet se ka ardhur nga të huajt që ua kanë sjellë shqiptarëve kur i pushtuan. Edhe Kanuni i shkruar nga Lek Dukagjini flet për gjakmarrje dhe se ai i nxiste shqiptarët të merrnin gjak. Sipas ligjeve të shkruara në kanun, shqiptarët për një kohë kishin funksionar sipas atyre rregullave dhe kjo u kishte sjellë shumë dëme, si gjakmarrjen, shtypjen e grave e të tjera.

Shqiptarët filluan t’ia falnin gjakun njëri-tjetrit dhe të ndalonin gjakmarrjen, pasi Kosova ishte në kohë të vështira dhe ishte koha e duhur për t’u bashkuar dhe për t’i ndaluar serbët që të përfitonin nga këto konflikte për përfitimet e tyre. Prandaj, do të ishte në kohën e duhur dhe vendim i mirë që dikush të merrte iniciativën për të filluar misionin e pajtimit të gjaqeve, dhe pikërisht këtë e bëri Rinia e Kosovës, e cila filloi këtë mision, në të cilin iu bashkua Anton Çetta dhe Zekiria Cana. Fillimi i kësaj lëvizje të pajtimit të gjaqeve, u bë një lëvizje mbarëkombëtare. Filluan për herë të parë në shkurt të vitit 1990 në Lumbardhë të Deçanit me pajtimin e gjaqeve në emër të lirisë e demokracisë dhe në emër të popullit për të falur gjakun. Kjo, natyrisht, nuk ishte e lehtë, pasi në kulturën shqiptare bëhej si një lloj detyrimi ndaj familjes për të marrë hakun ndaj atij që ju kishte vrarë anëtarin e familjes, prandaj që dikush të falte dikë që i’a kishte vrarë dikë në familje ishte shumë e vështirë. Jo rastësisht, në mesin e shumë fjalëve madhështore që tha Anton Çetta në tubimet për faljen e gjakut ishte edhe kjo: Me fal gjakun është burrni, me rujt gjakun e falun, ashtë ma zor se sa me fal.

Numri i faljeve të gjakut gjatë kësaj kohe ishte mjaft i madh, pasi Anton Çetta së bashku me grupin e tij kishin filluar të shkonin derë më derë për të biseduar me familjarët që kishin ndonjë anëtarë të vrarë, për të falur gjakun dhe se në tubimet e mbajtura në shumë vende, numri i njerëzve që shkonin ishte shumë i madh. Në një nga tubimet e mbajtura në Bubavec të Malishevës kishin shkuar rreth 100.000 njerëz, për të parë duke u falur gjaku. Ajo që ishte e rëndësishme ishte se ai mohoi propagandën serbe që u përhap, sepse ata thonin se shqiptarët janë ekstremistë islamikë dhe se nuk i duan as të krishterët shqiptarë dhe se vrasin njëri-tjetrin për arsye fetare. Anton Çetta dëshmonte të kundërtën te populli shqiptar. Ai i takonte fesë katolike, dhe se numri i shqiptarëve të besimit islam ishte më i madh, andaj ai shkonte te shqiptarët myslimanë dhe se kjo nuk përbënte kurrë problem për të, pasi për shqiptarët kombi ishte më i rëndësishëm sesa feja. Në të njëjtin mision për pajtimin e gjaqeve iu bashkuan edhe Hoxhallarët dhe Priftërinjtë, ku nuk kishte rëndësi feja në këtë aspekt, por misioni për të mirën e shqiptarëve. Kjo lëvizje e pajtimit të gjakut rezulton në mbi 1200 gjaqe të falura. / Përgatiti Eduard Sopaj

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë