Bashke

Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhgues në anëtare të asocuar.

Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takomin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë