Edhe doktorë shkencash dhe magjistra në listën e të papunëve, kush pret më shumë për punësim dhe sa është numri i tyre?
Papunësia në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet një problem serioz dhe nuk ka trende të uljes.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Punësimit, rreth 13 doktorë shkencash, prej të cilëve 7 janë femra dhe 6 meshkuj që janë të papunë dhe kërkojnë punë, përcjell INA.
Ndërsa me tituj magjistër të papunë janë 552 persona, prej të cilëve 357 janë të gjinisë femërore. Ndërsa të papunë me arsimim të lartë janë 6587 persona, nga të cilët 4279 janë femra.
E gjithë kjo kategori me tituj shkencorë dhe arsimim të lartë vazhdimisht janë në kërkim të punës përmes aplikimeve në Agjencinë për Punësim të Maqedonisë.
Sipas të dhënave për muajin tetor të këtij viti, punë kërkojnë 103.147 persona, prej të cilëve 53.205 janë femra. Nga shifrat e publikuara nga Agjencia, 61,492 jetojnë në qytete, ndërsa 41,655 punëkërkues jetojnë në zonat rurale.(INA)