Bashke

Flamuri i Suedisë ngritët në selinë e NATO-s në Bruksel

Flamuri i Suedisë është ngritur në selinë e NATO-s në Bruksel. Ceremonia çimentoi vendin nordik si anëtari i 32-të i Aleancës Veriatlantike dy vjet pasi pushtimi i Ukrainës nga Rusia bindi opinionin e saj ngurrues për të kërkuar siguri nën ombrellën e Aleancës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg mirëpriti Suedinë si anëtarin më të ri në një fjalim me kryeministrin suedez. Kristerson tha se Suedia u bashkua për të marrë sigurinë, por gjithashtu për të dhënë siguri. Suedia la mënjanë dekada neutraliteti pas Luftës së Dytë Botërore kur u bashkua zyrtarisht me NATO-n të enjten e kaluar.

“Bashkimi me NATO-n është i mirë për Suedinë, i mirë për stabilitetin në veri dhe i mirë për sigurinë e gjithë aleancës sonë. Në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, NATO ka rritur ndjeshëm praninë në të gjithë aleancën dhe anëtarësimi i Suedisë e rrit këtë edhe më tej. NATO është më e madhe dhe më e fortë. Suedia ka qenë prej kohësh partnere. Tani ju jeni një aleat me të gjitha përfitimet dhe përgjegjësitë që sjell kjo. Suedia ka kapacitete të larta ushtarake, marinën suedeze, stërvitje të kualifikuar të ushtarëve dhe cilësi të lartë të industrisë së mbrojtjes. Të gjitha këto i mirëpresim në aleancën tonë. Sot teksa ngremë flamurin suedez, qëndrojmë së bashku në unitet dhe solidaritet.”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. /Alsat.mk

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë