Bashke

Izraeli bombardon kishën historike në Gaza

Izraeli bombardon kishën historike në Gaza

Forcat izraelite kanë bombarduar një kishë historike në Rripin e Gazës, në të cilën po strehoheshin civilë të zhvendosur si pasojë e sulmeve, ndërsa autoritetet palestineze kanë njoftuar për viktima, raporton Anadolu.

Ministria e Punëve të Brendshme në Gaza njoftoi se Izraeli kishte në shënjestër Kishën Ortodokse Greke në Gaza. Siç njoftohet, “shumë njerëz u vranë dhe u plagosën” si rezultat i sulmit izraelit në kishën ku gjendeshin të strehuar qindra palestinezë të zhvendosur.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raportoi se një vajzë ka humbur jetën në sulmin e Izraelit ndaj Kishës historike Ortodokse Greke “Shën Porfiri” në lagjen Az-Zeytun në jug të qytetit të Gazës.

Ndërkohë që kishës historike i shkaktuan dëme të rënda nga sulmi, një ndërtesë që ndodhej pranë kishës u shkatërrua gjithashtu.

Kisha Ortodokse Greke “Shën Porfiri”, e lidhur me Kishën Anglikane në Kuds, ndodhet afërsisht 250 metra nga Spitali Baptist Al-Ahli, të cilin Izraeli e bombardoi më 17 tetor, duke shkaktuar vdekjen e qindra njerëzve.

Rreth 1.000 të krishterë jetojnë në zonën e sulmuar nga Izraeli, ndërkohë që edhe persona që u ishin shkatërruar shtëpitë ishin strehuar në kishë dhe ndërtesat e saj për mbrojtje.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se 3.785 njerëz, duke përfshirë 1.524 fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 12.000 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori, kur filloi konflikti në rajon pas një operacioni nga Hamasi në qytetet kufitare izraelite.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë