Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të mbajnë seancë të përbashkët – Izet Mexhiti shpalosi pikat kryesore nga takimi me Albin Kurtin
Zëvndëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka dalë me njoftim përfundimtar nga vizita e kryeministrit të Kosovës në Shkup, Albin Kurti dhe një pjesë të ministrave të Kosovës.
Njoftimi i plotë i Mexhitit:
“Z. Albin Kurti është kryeministri i parë që u prit nga Qeveria jonë! Kjo është një shenjë e mirë, një tregues se Kosova ka një vend të posaçëm në Qeverinë e re dhe se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera.
Sot dëshmuam se po thellohet bashkëpunimi dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona 🇲🇰🇽🇰. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve tona strategjike, duke synuar një bashkëpunim të ngushtë.
Pikat kryesore të takimit të sotëm ishin:
Mbajtja e një mbledhje të përbashkët të Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe asaj të, Kosovës deri në fund të vitit, që do të mbahet në Prishtinë. Kjo mbledhje do të jetë një platformë e rëndësishme për shqyrtimin e ideve dhe projekteve të përbashkëta, si dhe për thellimin e bashkëpunimit midis resorëve kompetentë, që do të jenë në të mirën e të dy shteteve.
Përshpejtimi i procedurave për rrugën Prizren-Tetovë: Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e lidhjes infrastrukturore mes dy qytetëve tona, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, si dhe duke promovuar zhvillimin ekonomik dhe social në rajon.
Përshpejtimi i ndërtimit të rrugës Shkup-Bllacë: Ky është një tjetër projekt strategjik që do të ndihmojë në përmirësimin e lidhjeve tona infrastrukturore, duke lehtësuar aksesin dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ndryshimi vlen!
Kosova gjithmonë në zemrat tona!”.