Bashke

Kurti: Krijimi i Asociacionit, goditje fatale për Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të ishte një goditje fatale për Kushtetutën e Kosovës.

Kurti shprehet se synimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq (Aleksandar Vucic) është instalimi i një entiteti juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, me qëllim që të bëjë Kosovën një shtet jofunksional.

Aleksandër Vuçiq, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike. Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kishte qenë goditje fatale për Kushtetutën tonë. Prandaj, nuk është rastësi që Gjykata jonë Kushtetuese konstatoi se 23 nene të Statutit të saj të propozuar janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë”, ka deklaruar Kurti, njofton Kryeministria.

Gjatë fjalës së tij, në Konferencën e Paqes “Demokracia kundër autokracisë”, Kurti u shpreh se problemi Kosovë – Serbi mund të cilësohet si periferik në betejat e mëdha globale.

Në përplasjen globale midis demokracisë dhe autokracisë që po dëshmojmë tani, betejat e vogla në periferi mund të duken se nuk kanë shumë rëndësi. Sidoqoftë, kjo është një përshtypje që nuk vërtetohet nga dëshmitë historike. Historia mëson, përkundrazi, se dështimi për të mbajtur një qëndrim parimor kundër autokratëve në një teatër të vogël të politikës botërore (siç mund të jenë të prirur ta shohin disa Ballkanin Perëndimor) mund të përshpejtojë lehtësisht kriza globale shumë më të mëdha. Historia moderne e Ballkanit e ka ilustruar këtë në shumë raste, ku më dramatike është shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Unë besoj se ne demokratët duhet të bëjmë shumë më tepër për tu koordinuar përtej kufijve ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ofrojmë njëri-tjetrit solidaritetin shumë të nevojshëm, ndërkohë që përballemi me kthimin e ekstremit të djathtë autoritar, qoftë në vendet tona apo në ato fqinje. Përderisa sigurisht se ka rëndësi që ne kemi një nivel të lartë moral, kjo është e pamjaftueshme. Ajo që na duhet është ta kthejmë këtë nivel kaq të lartë moral në nivel politik. Dhe kjo kërkon përpjekje të organizuara”, thuhet në njoftim./tv21

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë