Bashke

LD: Alarmante – Pollogu rekord rajonal për ikjen e të rinjve

Nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit i cilësojnë si të tmerrshme dhe të pabesueshme të dhënat më të reja për ikjen e qytetarëve dhe sidomos të rinjve nga vendlindja, pērcjell KlanM. Pajtim Osmani nga kjo Lëvizje ka publikuar statistika, sipas tij, shqetësuese për emigracionin e të rinjve deri në moshën 35 vjeç në 20 vitet e fundit, për indeksin 1000 banorë.

“Nga Mali i Zi nga 1000 të rinj, kanë emigruar 92, nga Kroacia 215, nga Serbia 283, nga Shqipëria 290, nga BeH 291 dhe ndërsa nga Maqedonia 402 të rinj. Por ajo që duhet veçuar është fakti se rekordin absolut evropian e mban rajoni veriperëndimor i Maqedonisë, ku ikja është 603 të rinj, kurse në këtë rajon dihet se dominojnë shqiptarët” thotë Osmani.

Osmani si shkaqe për ikjen masive të të rinjve përmend lodhjen nga premtimet e kota, mashtrimet dhe gënjeshtrat e politikanëve, nepotizmin dhe partizimin, korrupsionin dhe mungesën e sundimit të ligjit, vjedhjen e shtetit.

“Pra të rinjtë, sidomos ata shqiptarë, largohen të pashpresë nga vendlindja e tyre, sepse janë të lodhur nga ‘patriotizmi’ i BDI-së, i cili kujdeset më shumë për të vdekurit se sa për të gjallët. Krimi e korrupsioni janë bërë vlera elitare, kurse ‘politikanët’ e BDI-së, të pangopur nga pushteti, thonë ‘akoma asgjë nuk keni parë’. Tashmë i ka dalë e gjithë ngjyra patriotizmit të rremë sepse patriotizmi ka kuptim kur mirëqenia sociale e ekonomike është në nivelin e arsyeshëm. Të gjithë paguajnë tatim që të jenë të barabartë, kurse përfitojnë ata që janë në pushtet dhe militantët e tyre analfabet. Kur të gjitha këto të zeza i shohim gjithandej, atëherë është normale ikja alarmante, mbase biblike, e të rinjve shqiptarë. Por, në horizont, megjithatë shihet se ndryshimi do të vijë dhe se shpresa do të ngjallet”, thuhet në reagimin e Pajtim Osmanit nga LD./KlanMacedonia

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë