Lidhja Europiane për Ndryshim: BDI po shkarkon dhe revanshohet, por populli që don ndryshim po bashkohet!
Unë jam Mustafa Imeri, profesor, tenor dhe 15 vite shef i Katedrës në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme të Muzikës “Ilija Nikollovski-Luj”, gjegjësisht që nga themelimi. Deri pardje. Sepse pushtetarët e plotfuqishëm vendosën ndryshe. Ata më shkarkuan ngaqë ditë më parë në rrjetet sociale publikisht përkraha mendimin ndryshe dhe u postua një fotografi me njërin nga udhëheqësit e Lidhjes Europiane për Ndryshim, Izet Mexhitin.
Janë 15 vite punë e palodhshme, përkushtim maksimal, profesional dhe edukim i fëmijëve në fushën e artit.
E çfarë porosie është kjo për profesionistët në vendin tonë dhe a e kuptoni sa e ulët është kjo goditje dhe a e kuptoni përse çdo ditë artistët dhe profesionistët po ikin nga Maqedonia e Veriut.
Ky fenomen i revanshizmit, frikësimit, shantazhit e shkarkimeve ndaj mendimit ndryshe, nuk ndodh vetëm në “Ilija Nikollovski-Luj”, por ky është një realitet në të gjitha institucionet e vendit dhe me kështu lloj presionesh për çdo ditë ballafaqohen edhe administratorët nëpër institucione, edhe biznesi shqiptarë edhe qytetari i zakonshëm.
Në fakt kjo qeveri teknike e ka nisur mbrapsht këtë 100- ditësh.
Por, unë ndjehem krenarë që në këtë betejë mes një grushti politikanësh në ikje dhe popullit që kërkon ndryshim, unë jam në anën e popullit.
Të nderuar, Ju po shkarkoni, por populli po bashkohet, ju po revanshoheni por populli po çohet.
E mira në këtë të keqe është që këtij zullumi i kanë mbetur vetëm edhe 90 ditë. Do të durojmë, 8 maji është dita jonë. E pas paravanit ne me votën tonë do ta shkarkojmë këtë pushtet.
NDRYSHIMI PO VJEN