Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, skuadrat e Juventusit, Milanit dhe Interit janë duke shtyrë përpara idenë e tyre për të reduktuar numrin e ekipeve pjesëmarrëse në Serie A nga 20 në 18.
Ka pasur tashmë sugjerime gjatë ditëve të fundit se ‘treshja e madhe’ do të bashkoheshin për të çuar përpara këtë plan, i cili fillimisht ishte propozuar nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.
“ANSA” pretendon se është mbajtur një takim mes zyrtarëve të Juventusit, Milanit dhe Interit së bashku me krerët e Federatës, për të punuar mbi këtë ide. Prezent në këtë takim ishin shefi i Interit, Bepe Marotta, drejtori gjeneral i Juventusit, Maurizio Skanavino dhe drejtori Françesko Kalvo, ndërsa nga Milani përmes një videolidhje u kyç edhe presidenti Paolo Skaroni. Këtë ide me parë e ka hedhur edhe presidenti i Lacios, Klaudio Lotito.