Ballkani i drejtuar nga trajneri Ilir Daja mbyll fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, ku kampionët e Kosovës janë mysafirë të Dinamo Zagreb. Matematika e mban ende në lojë Ballkanin për një kualifikim të mundshëm, ndaj atyre u nevojitet që të përsërisin ndeshjen e parë, ku fituan në “Fadil Vokrri” në shifrat 2-0.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka pohuar se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë në Zagreb, por që nuk ka çfarë të humbasin si ekip. Takimi i fundit i Grupit C në Ligën e Konferencës mes Dinamos së Zagrebit dhe Ballkanit do të luhet sonte në orën 21:00.
“Kemi një ndeshje të vështirë, sepse kemi përballë një kundërshtar që ka shumë përvojë dhe është tepër i fortë, pavarësisht se ndeshjen e parë e kemi fituar në Prishtinë. Kështu që në Zagreb na pret një ndeshje shumë e fortë. Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Favoritë është Dinamo për vetë emrin që ka si një ekip shumë i madh në rajon. Na pret një transfertë e vështirë, por që nuk do të futemi të dorëzuar, kjo është më se e sigurt. Ne në kampionat kemi 12 fitore dhe 2 barazime dhe ndeshja e fundit ka qenë një situatë e izoluar. Ndoshta edhe vetë ndeshja me Dinamon ka bërë që futbollistët të jenë më të përqendruar te ndeshja në Zagreb sesa ajo në kampionat”, shtoi Daja./abcnews/