Bashke

Në UNT ndihen të fyer, UKLO e demanton – por kryeministri Xhaferi nuk mendon se 5 universitetet po diskriminohen

Kryeministri teknik Talat Xhaferi thotë se pesë universitetet që u revoltuan për mosrritjen e rrogave i kanë dorëzuar me vonesë në Kuvend kërkesat për marrëveshjen kolektive dhe për këtë arsye nuk janë nënshkruar. Për paralajmërimin për protesta apo grevë të profesorëve në kohë të zgjedhjeve, Xhaferi vlerëson se kjo do të ishte në funksion të politikave ditore, pasi siç shtoi neni “8a” nuk e lejon që të nënshkruhen marrëveshje kolektive në këtë periudhë. Ai po ashtu thekson se profesorët e këtyre 5 universiteteve nuk duhet të ndihen të diskriminuar, sepse siç u shpreh, vonë i kanë krijuar sindikatat, edhe pse ai ua ka treguar shembullin e USHKM se si duhet të jenë kërkesat.

“Nuk janë të diskriminuar, mos të them diçka tjetër… Nuk i kanë përpunuar me kohë. Njerëz, nuk kishin sindikata sepse profesorët ishin me inercion, pjesë e profesorëve ishin anëtarë të sindikatave të përgjithshme në Ministrinë për Arsim, dhe kur e kanë parë rastin me USHKM-në, kanë marrë dhe kanë lexuar ligje, se duhet të kenë sindikata të pavarur si institucion i pavarur, në atë shembull, pra si janë diskriminuar. Sa kohë ekzistojnë universitetet, më i riu është UNT-ja, do të thotë Universiteti “Nënë Tereza”, pse me kohë nuk formuan, Sindikata të kenë, siç formuan pastaj kur u thash që duhet ta bëjnë këtë-këtë, pse të diskriminuar?”, tha Xhaferi.

Po kryetari i sindikatës së Universitetit “Nënë Tereza”, Avni Avdiu thotë se janë jo vetëm të diskriminuar por edhe të fyer nga ana e Xhaferit në aspektin intelektual, sa i përket paralajmërimit të protestave, Avdiu mohon të kenë ngjyrime politike.

“Absolutisht nuk është e vërtetë sepse këtë e kemi cekur në kumtesën tonë nuk e di sa herë, e kemi përsëritur edhe në ditën e protestës edhe më parë që nuk kanë kurrfarë konatacioni politik por bëhen vetëm e vetëm për t’i realizuar të drejtat tona, të njëjtat që u takojnë të tjerëve”, tha Avdiu.

Përveç kësaj Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” Manastir me anë të një komunikate e ka demantuar kryeministrin Xhaferi, i cili tha se sindikatat nuk kanë qenë të formuara me kohë. Dokumentet që i dërguan në e-mail thonë se vërtetojnë se Sindikata e këtij Universiteti ka qenë e formuar në vitin 2022.

E deri sa po zhvillohet ky debat për vonesën e kërkesës për marrëveshje kolektive dhe formimin e sindikatave, tashmë në Kuvend është propozuar ndryshimi i ligjit për arsimin e lartë, që pritet të kalojë brenda javës.

“Kjo pikë së pari nuk është marrëveshje kolektive kjo është më shumë se marrëveshje kolektive, kjo është propozim ligj i cili do të duhet të shndërrohet në ligj”, tha Arbër Ademi, deputet i BDI-së.

Po a do ta mbështesë opozita shqiptare këtë propozim-ligj? Deputetja Safije Sadiku Shahini thotë se ende nuk kanë një vendim pasi ende nuk e kanë parë ligjin, por shton se në parim janë që klasa akademike të mos ketë diskriminim në kuptim të rrogave.

“Indikative është që ky diskriminim i UT-së, i UNT-së dhe universiteteve të tjera po bëhet në kohën kur kemi ministër arsimi shqiptar dhe një kryeministër teknik shqiptar. Përveç kësaj, indikative është që kjo zgjidhje ligjore nuk i përfshin edhe institutet hulumtuese shkencore, që po ashtu janë të diskriminuar në aspekt të rrogave. Pse kjo zgjidhje e pjesshme? A mos po bëhet kjo që të sigurohet rrogë më e lartë për Arbër Ademin pasi ta përfundojë mandatin e deputetit?!”, u shpreh Sadiku Shahini.

Ndryshe me këtë propozim ligj që pritet të kalojë në seancë plenare brenda kësaj jave, ato nene të cilat i ka lidhur USHKM me Kuvendin në dhjetor të vitit 2022, do të vlejnë për të gjitha universitetet publike, ku do të kenë rritje rroge prej 22%.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë