Një gabim në status (nga ekipi) i ktheu jetën përmbys neuroshkencëtares
Kjo është me një fjali historia e një neuroshkencëtareje.
Dalal Abu Amneh këmbëngul ende se nuk kishte ndërmend të mbante anë në mesazhin e saj në Facebook më 7 tetor: ‘I vetmi fitimtar është Zoti’.
Qytetarja palestineze e (Izraelit verior) – një neuroshkencëtare dhe këngëtare popullore e njohur në botën arabe – po fillonte një tërheqje të heshtur në një manastir të krishterë, në Jerusalem kur filloi të përhapej fjala për masakrën e Hamasit.
Ajo menjëherë kërkoi të përcillte idenë se asgjë e mirë nuk do të vinte nga sulmet e Hamasit apo lufta në Gaza që do të pasonte.
‘I vetmi fitimtar është Zoti’ shkruajti ajo, duke pasqyruar bindjet e saj si pacifiste.
Ekipi i saj e postoi atë në arabisht: ‘La gha-leb il-la lah’. Dhe i shtuan mesazhit edhe një flamur palestinez, siç bënin zakonisht me postimet për muzikën e saj.
Kur ajo pa postimin të nesërmen dhe pa flamurin, zemra e saj u trondit. Ky flamur që i kishin vendosur, pa i thënë, e bënte mesazhin të dukej i njëanshëm.
Kërcënimet me vdekje filluan menjëherë pas kësaj – në mediat sociale dhe në telefonata kërcënuese dhe, më në fund, në protesta të furishme në pragun e shtëpisë së saj. Bashkëqytetarët izraelitë e kërcënuan se do ta përdhunonin, do t’i digjnin shtëpinë dhe do t’i vrisnin dy fëmijët e saj.
Kur çifti shkoi në një stacion policie për të kërkuar mbrojtje, atë e arrestuan. E mbajtën tre ditë në burg.
Policia tha se postimi në Facebook, komenti i saj i vetëm publik mbi ngjarjet e tmerrshme, përbënte një provokim të paligjshëm. Abu Amneh e hoqi postimin pasi u bë viral, por nuk ka kërkuar falje. Ajo i qëndron mesazhit që si synim kishte vetëm paqen. Pothuajse katër muaj më vonë, jeta e saj është ende përmbys.