Bashke

OKB bën thirrje për të ndihmuar palestinezët

Kombet e Bashkuara bën thirrje për 2.8 miliardë dollarë për të ofruar ndihmën e nevojshme për 3 milionë palestinezë, duke theksuar se luftimi i urisë në Gazën e shkatërruar nga lufta nuk kërkon vetëm ushqim, por edhe ndërtimin e kanalizimeve dhe impianteve të ujit, si dhe ndërtesave shëndetësore.

Andrea De Domenico, kreu i Zyrës humanitare të OKB-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor, u tha gazetarëve se kërkohen të kryhen “operacionet masive” në mënyrë që këto shërbime të rikthehen dhe të kenë standarde minimale. Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet në kohën kur operacionet ushtarake po vazhdojnë në enklavën palestineze.

Ai tha se në Gazë janë shkatërruar spitale, sisteme të ujësjellësit e kanalizimeve, shtëpi, rrugë e shkolla.

De Domenico tha se Izraeli së fundi përfundoi operacionin e dytë të madh ushtarak në spitalin Shifa – spitalin më të madh në Gazë – dhe ky operacion, sipas tij, ishte aq shkatërrimtar sa që ndërtesa është detyruar të mbyllet.

Izraeli ka premtuar se do të hapë më shumë pika kufitare për në Gazë dhe do të rrisë dërgesat me ndihmë humanitare, pasi në një sulm me dronë u vranë shtatë punëtorë të ndihmës nga organizata Kuzhina Qendrore Botërore, të cilët më 1 prill ishin duke dërguar ushqim në territor.

Vrasjet janë dënuar nga aleatët më të ngushtë të Izraelit, duke rritur kritikat ndaj Izraelit pas gjashtë muaj luftë.

Lufta u nxit pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Ofensiva izraelite në Gazë, që synon shkatërrimin e Hamasit, ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka lënë të vrarë afër 34.000 persona, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.

De Domenico tha se ka sinjale se Izraeli ka “qëllime të mira” sa i përket rritjes së ndihmës humanitare në Gazë, duke përmendur hapjen e pikëkalimit në veri dhe hapjen e furrave të bukës në këtë pjesë të Gazës që përballet me situatë të rëndë humanitare.

Megjithatë, ai tha se OKB-ja po kërkon që Izraeli të bëjë më shumë.

Sipas autoriteteve ndërkombëtare që bëjnë vlerësime të krizave të urisë, uria është e pashmangshme në veri të Gazës, ku 70 për qind e personave po përballen me uri katastrofale. Në një raport të publikuar së fundi u paralajmërua se një përshkallëzim i luftës mund të shtyjë gjysmën e popullsisë së Gazës, prej 2.3 milionë banorësh, buzë urisë.

OKB, tha De Domenico, kërkon 2.8 miliardë dollarë për pjesën e mbetur të vitit për Gazën dhe 10 për qind të kësaj vlere për Bregun e pushtuar Perëndimor, i cili po ashtu është përballur me rritje të dhunës dhe të sulmeve të kolonëve.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë