Bashke

OKB kërkon pushime të gjata humanitare në Gaza

Miratohet edhe me votën e Shqipërisë rezoluta, abstenon SHBA

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e parë që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas. Rezoluta bën thirrje për “pauza urgjente dhe të zgjatura humanitare” në Gaza, për të trajtuar krizën e përshkallëzuar të civilëve palestinezë gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore të Izraelit.

Mbledhja nisi me një minutë heshtje për humbjet e jetëve në Gaza, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u shpreh se një fëmijë vritet mesatarisht çdo 10 minuta duke paralajmëruar se askush nuk është i sigurt.

Votimi në këshillin prej 15 anëtarësh ishte 12-0 mes të cilëve edhe Shqipëria, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia abstenuan.

Në shpjegimin e votës së saj, përfaqësuesja e SHBA tha se në këtë rezolutë nuk dënohen krimet e Hamasit.

“Hamasi duhet të ndalojë përdorimin e njerëzve, përfshirë stafin e spitalit dhe pacientët, si mburoja njerëzore. Këto janë akte mizorie dhe frikacake të pamendueshme. Kjo do të thotë gjithashtu se ndërsa Izraeli ushtron të drejtën dhe përgjegjësinë e tij për të mbrojtur popullin e tij nga aktet e terrorit, ai duhet ta bëjë këtë në një mënyrë që të jetë në përputhje me ligjet e luftës. Dua të jem e qartë, Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin luftime në asnjë spital kur njerëz të pafajshëm, të pafuqishëm, të sëmurë përpiqen të marrin kujdes mjekësor.”

Drafti përfundimtar e zbuti tonin nga kërkesa në thirrje për pauza humanitare dhe për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupet e tjera.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, deklaroi se pauzat humanitare nuk nënkuptojnë armëpushim.

“Edhe një herë dua të theksoj se pauzat humanitare nuk janë dhe nuk mund të jenë zëvendësim i armëpushimit, madje as një armëpushim. Kjo është vetëm një pauzë e përkohshme pas së cilës aktivitetet ushtarake do të rinovohen me forcë më të madhe. Me fjalë të tjera, infrastruktura civile do të vazhdojë të shkatërrohet dhe do të ketë gjithnjë e më shumë viktima.”

Ndërkaq rezoluta u shoqërua edhe me kundërshtime, teksa ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, lëshoi një deklaratë duke thënë se rezoluta “është e shkëputur nga realiteti dhe është e pakuptimtë”. Ai kërkoi krijimin e një grupi pune në spitalet në Gazën jugore.

“Qëllimi i Hamasit është të intensifikojë dhe përkeqësojë situatën humanitare në Gaza dhe të shfrytëzojë pikërisht këtë organ për të lidhur duart e Izraelit. Kjo rezolutë nuk kontribuon asgjë në situatën në Gaza. Sjellja e pengjeve në shtëpi është prioriteti kryesor i Izraelit dhe duke parë se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit nuk ka asnjë ndikim me terroristët. Izraeli po bën shumë më tepër për mirëqenien e Gazës se OBSH-ja apo ndonjë organ tjetër i OKB-së.”

Rezoluta thekson që të gjitha palët të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ta monitorojë rezolutën dhe të raportojë për zbatimin e saj. Kjo është rezoluta e parë e miratuar që nga nisja e konfliktit. Në Tetor, Këshilli i Sigurimit dështoi katër herë për të miratuar rezoluta që kërkonin ose armëpushim ose pauza humanitare.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë