Bashke

OKB pezullon shpërndarjen e ushqimeve në Rafah

Kombet e Bashkuara pezulluan të martën shpërndarjen e ushqimeve në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë shkaktuar nga zgjerimi i operacionit ushtarak të Izraelit. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se operacionet humanitare në të gjithë territorin ishin drejt kolapsit.

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se Izraeli u është përgjigjur shumë prej shqetësimeve të administratës së presidentit Joe Biden lidhur me planet për një ndërhyrje tokësore në Rafah që synon çrrënjosjen e luftëtarëve të Hamasit atje.

Presidenti Biden kishte kundërshtuar një sulm të përgjithshëm ushtarak në qytetin e mbushur me civilët e zhvendosur nga pjesët e tjera të Gazës, nëse nuk i jepej përparësi sigurisë së palestinezëve të pafajshëm.

Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht. Zyrtari tha se administrata nuk i dha dritën e gjelbër planit për ndërhyrje, por tha se ndryshimet që bënë zyrtarët izraelitë lënë të kuptohet se ata po i marrin seriozisht shqetësimet e administratës amerikane.

Gjatë dy javëve të fundit, qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rafah në mënyrë kaotike, duke kërkuar strehim në kampe të reja ose duke u mbledhur në zonat tashmë të shkatërruara nga ofensivat e mëparshme izraelite.

Rreth 400,000 njerëz besohet se janë ende në Rafah pasi rreth 900,000 të tjerë u larguan me nxitim, sipas COGAT-it, zyra ushtarake izraelite përgjegjëse për çështjet civile palestineze.

Marrja e ndihmave për civilët e zhvendosur është penguar nga pikë-kalimet e mbyllura, si dhe nga problemet me platformën e re lundruese të ushtrisë amerikane, që synonte të ofronte një rrugë alternative detare për të futur ndihmat në Gaza.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder u tha gazetarëve në Uashington se ditët e fundit, dërgimi i ndihmave nga platforma ishte ndalur, por se rifilloi të martën.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se po i mbaronin furnizimet për Gazën qendrore, ku tani jetojnë qindra mijëra njerëz./VOA

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë