Dy ditë pas propozimit të kryeministrit Edi Rama, Presidenti i SHqipërisë Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet e reja në qeveri.
Presidenti Begaj ka dekretuar shkarkimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes, Ervin Metes si ministër i Financave dhe Elisa Spiropalin si ministre shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kreu i shtetit ka dekretuar emërimin e 3 ministrave të rinj, Ervin Hoxha i Brendshëm, Pirro Vengu i Mbrojtjes, Petrit Malaj i Financave, si edhe emërimin e Ballës si ministër shteti për marrëdhëniet me Parlamentin.
“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, mori në shqyrtim propozimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Edi Rama, të datës 28 korrik 2024, për shkarkimin dhe emërimin e disa ministrave.
Në përfundim të procedurës së shqyrtimit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot, më 30 korrik 2024:
Shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, z. Taulant Balla;
Shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Niko Peleshi;
Shkarkimin e Ministrit të Financave, z. Ervin Mete;
Shkarkimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali;
Emërimin e Ministrit të Brendshëm, z. Ervin Hoxha;
Emërimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vëngu;
Emërimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj;
Emërimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla.”
Ndryshimet në qeveri do të kalojnë në Kuvend, ku kërkojnë 71 vota për të marrë detyrën. Kuvendi pritet që të mblidhet në seancë të posaçme plenare pasditen e sotme në orën 17:00.