Sipas një studimi të ri, të kalosh më shumë se 10 orë në ditë ulur rrit rrezikun e demencës me 8% dhe të kalosh 12 orë në kushte të pasivitetit fizik, si duke lexuar, parë TV, apo në kompjuter, rrit rrezikun e demencës duke rrëzuar 63% të aftësive konjitive.
Nuk është asgjë e re që qëndrimi ulur për orë të tëra në ditë nuk është i mirë për shëndetin, zemrën dhe qarkullimin e gjakut, por hulumtimet tani tregojnë se dëmi mund të arrijë edhe në tru. Një studim i publikuar në Jama në fakt ka zbuluar se qëndrimi ulur për një kohë të gjatë rrit rrezikun e zhvillimit të demencës për personat mbi 60 vjeç.
Nuk ka rëndësi nëse koha e kaluar ulur është në vazhdimësi apo e grumbulluar gjatë gjithë ditës, pasi që të dyja kanë një efekt të ngjashëm dhe shoqërohen me një rrezik më të madh për të zhvilluar këtë sëmundje neurodegjenerative.
Studiuesit ekzaminuan të dhënat nga afro 50,000 njerëz të moshës 60 vjeç e lart pa diagnozë të demencës, të cilëve iu desh të mbanin një akselerometër në kyçin e dorës për 24 orë në ditë, për një javë, një pajisje e ngjashme me një orë inteligjente dhe e aftë për të regjistruar dhe gjurmuar lëvizjet e personit.
Me ndihmën e algoritmeve të inteligjencës artificiale të aftë për të interpretuar të dhënat e mbledhura, shkencëtarët kanë identifikuar zakonet dhe lëvizjet e njerëzve, duke bërë dallimin midis momenteve të aktivitetit, sjelljes ulur dhe fazave të gjumit.
Pas mbledhjes së të dhënave fillestare, individët u ndoqën mesatarisht për më shumë se 6 vjet dhe gjatë studimit, 414 persona zhvilluan demencë.
Rezultatet
U gjetën korrelacione të forta midis kohës së kaluar joaktive dhe rrezikut të zhvillimit të demencës.
Për njerëzit që janë joaktivë për të paktën 10 orë në ditë, probabiliteti i zhvillimit të sëmundjes neurodegjenerative në shtatë vitet e ardhshme është 8% më i lartë se për ata që kalojnë më pak se 10 orë ulur. Të dhëna edhe më shqetësuese për ata që kalojnë 12 orë pa lëvizje fizike, pasi probabiliteti për të pasur një diagnozë të demencës rritet me 63%.
Profesionet që kërkojnë qëndrim ulur për periudha të gjata kohore janë gjithnjë e më të përhapura dhe sipas një sondazhi të publikuar në Forbes në vitin 2019, për një person tipik, më shumë se gjysma e ditës kalon në një pozicion ulur.
Një punonjës i zakonshëm zyre mund të kalojë deri në 15 orë në ditë para tavolinës. Dhe për njerëzit që bëjnë udhëtime të gjata, këto kohë shtrihen edhe më tej. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm përfaqëson faktorin e katërt të rrezikut të vdekshmërisë në botë.