Greva e specializantëve ka vështirësuar funksionimin normal nëpër klinika. Janë shtuar turmat dhe janë zgjatur rradhët e pritjeve, shkruan Alsat.
Pacientët thonë se mezi po i marrin shërbimet, por nga ana tjetër i mirëkuptojnë mjekët specializantë, thonë se ata po e kërkojnë atë që e meritojnë.
“I mbështes tërësisht specializantët, jam në anën e tyre, por për fat të keq nuk mund t’u ndihmoj. Përndryshe e meritojnë atë që e kërkojnë. Unë jam paciente e onkologjisë….Jo, nuk mund të kryhen shërbimet, vetë mjekët reagojnë, megjithatë ndonjë dirigjent edhe ata I urdhëron çfarë të bëjnë, edhe vendet e tyre të punës janë në pikëpyetje”, tha një qytetare.
“Unë vi në gjashtë e gjysmë, njëherë vij për shkak të parkingut se nuk ka vend më vonë, ndërsa pastaj për të kapur rradhën për te mjeku… Mjeku fillon me punë në 9, pastaj shkojmë në spitalin ditorë, atje presim gjysmë ore, 1 orë . Kur futemi brenda, varet 3 orë, 3 e gjysmë presim…
-Domethënë, praktikisht ju prej orës 6 e gjys, gati 6 orë jeni këtu?
-Afërsisht po dhe kur do të kryhet nuk e di.. Të isha prej në Shkup do të ishte më lehtë për mua. Unë jam prej Gostivari, prej Vrapçishti”, u shpreh një qytetare.
“Pres pacienti të del, në vizitë jam, pres tre orë e gjysmë…. Nuk kryhen, jo vetëm në shëndetësi, në përgjithësi në të gjithë shtetin ka ngecje. E fundit është me mjekët e rinj. Vazhdimisht ankohen se po ikin, normal që do të ikin”, theksoi një qytetare.
“Për vete mund të flas, unë jam personalisht e kënaqur nga shërbimi”, tha një qytetare.
Punonjësit shëndetësorë thonë se mungesa e specializantëve po reflekton në punën e tyre.
“Gjithësesi se rëndohet, sepse ata janë një ndihmë e çmuar edhe pse e pjekin zanatin, megjithatë janë ndihmë e madhe për punë teknike dhe gjithçka tjetër. Gjithësesi se do të reflektohet në punë, thjeshtë më ngadalë do të rrjedhin punët nëse nuk kemi specializantë…Turmat po rriten, ndërsa ne jemi më pak në kuadër”, tha Zoran Atanasov, radioterapi.
Specializantët për të katërtën ditë me rradhë bojkotojnë tërësisht procesin e punës. Ata kërkojnë rritje të të ardhurave dhe rregullim të statusit të tyre, ndërsa janë të pakënaqur nga vendimi i Qeverisë që zgjidhja të gjendet pas zgjedhjeve. / Alsat.mk