Simulimi qesharak i Bruno Fernandes ndaj Wiganit, ka bërë që tifozët të shpërthejnë në rrjetet sociale
Bruno Fernandes ka shënuar një penallti të diskutueshme për të dyfishuar epërsinë e Manchester United në duelin ndaj Wigan Athletic, në kuadër të raundit të tretë të FA Cup.
Po luhej minuta e 74-të e takimit në “DW Stadium”, kur Fernandes e fitoi penalltinë pas një dueli me futbollistin Liam Shaw.
29-vjeçari si në një shfaqje teatrale u rrëzua në tokë, duke bërë që gjyqtari Anthony Taylor të bëjë me shenjë tek pika e bardhë.
Një numër i lojtarëve të Wiganit protestuan tek Taylor për vendimin që kishte marrë, por në këtë ndeshje ai nuk mund të llogariste në asistencën e VAR-it.
Disa momente më vonë, Fernandes e shndërroi në gol penalltinë që e fitoi vet, duke çuar portierin vendas në krahun e kundërt.
“Bruno Fernandes duhet të ndalojë së bëri këtë. Të simulosh për të fituar një penallti ndaj një skuadre dy kategori më poshtë. Ndihem keq për Wigan. E turpshme për Fernandes dhe United”, kishte shkruar një tifoz në platformën X (ish-Twitter).