Kandidati i VLEN-it për president të shtetit, Arben Taravari nga Dibra tha se nuk ka asnjë dyshim për fitoren e cila do të jetë plebishitare, si në njësinë 5 ashtu edhe në çdo njësi zgjedhore. Taravari tha se sot cdo vendbanim shqiptar që viziton dhe e kthen kokën sheh reklama bastoresh, kazino e lojëra të fatit.
“Imagjinoni qytetarët në Maqedoninë e Veriut shpenzojnë 1.7 milionë euro në ditë në lojëra të fatit. Këto para mbushin xhepat e oligarkëve rus dhe serbë dhe përmes tyre edhe xhepat e pushtetarëve të BDI-së. Bixhozi është një ves i keq njësojë sikur narkomania. Sëmundjen e bixhozit na e ka instaluar dhe promovuar fatkeqësisht BDI-ja në çdo cep të lagjeve tona. Kjo sëmundje simbolizohet me lotarinë e Artan Grubit, po e shkatërron familjet tona, po e shkatërron shoqërinë tonë”, tha Arben Taravari nga Dibra.
Për këtë shkak, shtoi Taravari, si qeveri e VLEN-it, tha se do të mbyllin bixhozin në të gjithë shtetin. “Nuk ka më pasurim në kuriz të qytetarit, nuk ka më trashje të qafës në kuriz të qytetarëve, nuk duhet të ketë më përfitime nga fatkeqësia e qytetarëve e as nga tragjedia e familjarëve. Ne si VLEN dhe qeveri e ardhshme menjëherë do të ndalojmë bixhozin në Maqedoni, do të ndalojmë kreditë e shpejta dhe do të falim borxhet e qytetarëve të marra si kredi të shpejta”, deklaroi mes tjerash Taravari.
Taravari tha se vendi ynë ka mbetur prapa në drejtësi, ekonomik, në të drejtat e popujve, në arsim, shëndetësi, në çdo gjë jemi mbrapa dhe prandaj sipas tij është koha për ndryshim. /SHENJA/