Askush në botë nuk është me të vërtetë aq i fortë sa të mos frikësohet ose të trembet nga asgjë. Qoftë merimangat, kllounët, errësira apo dështimi, secili prej nesh ka diçka në jetë nga e cila kemi frikë.
Por ka disa fobi aq të këqija, sipas Mark Travers, pedagog dhe psikolog amerikan në “Cornell University” dhe “University of Colorado Boulder”, sa mund të ndikojnë thellë në çdo aspekt të jetës së një individi, pse jo ta ndryshojnë atë plotësisht.
Këtu janë fobitë për të cilat po flasim:
#1 Ambulofobia
Ambulofobia, sipas një studimi të vitit 2022 nga “Frontiers in Psychology”, është një fobi që lidhet me frikën nga ecja dhe prek kryesisht të moshuarit. Këta persona shpesh shmangin ecjen në vende ku nuk ka shumë njerëz dhe preferojnë të qëndrojnë në shtrat ose në shtëpi për të zvogëluar rrezikun e rrëzimit diku.
#2 Decidofobia
Decidofobia është frika për të marrë vendime, e cila mund të ndikojë në aftësinë e dikujt për të pasur një jetë normale të përditshme. Njerëzit me këtë fobi shpesh përjetojnë panik kur përballen edhe me zgjedhjet ose vendimet më themelore.
#3 Cibofobia
Cibofobia, e njohur edhe si “sitofobia”, lidhet me frikën e vazhdueshme nga ushqimi. Individët me këtë fobi përjetojnë ankth të jashtëzakonshëm për përgatitjen e ushqimit, frikë nga helmimi, ruajtje afatgjatë në frigorifer etj.
#4 Somnifobia
Kjo është frika e gjumit, domethënë një ankth i fortë që lidhet me rënien në gjumë. Simptomat që lidhen me somnifobinë përfshijnë vështirësinë për të fjetur, rritjen e kohës së zgjimit dhe gjendjen e shqetësimit të vazhdueshëm.
#5 Akustikofobia
Akustikofobia, ose frika nga zhurma, shpesh e ka origjinën në fëmijëri. Sipas një studimi të vitit 2019 nga “Jacobs Journal of Neurology and Neuroscience”, shpesh shkaktohet nga zhurma të forta që shkaktojnë frikë intensive, por mund të lidhet edhe me zhurma të tjera.
#6 Kronofobia
Kronofobia është frika nga kalimi i kohës. Kjo fobi e çuditshme shihet shpesh tek individët që përjetojnë periudha të gjata izolimi, si individët në burg ose karantinë dhe lidhet me një frikë neurotike nga marshimi i pamëshirshëm i kohës.
#7 Fobofobia
Fobofobia, sipas klinikës “Cleveland”, është vetë frika nga frika. Ajo manifestohet si një frikë nga përjetimi i frikës, fizikisht ose emocionalisht, ose shfaqja e saj te të tjerët. Por, ankthi për frikën e mundshme çon në një stres të vazhdueshëm që e bën më të vështirë vazhdimin e një jete normale.