Ende pa filluar zgjedhjet filluan fitoret e opozitës. Kështu shprehen nga Lidhja Europiane për Ndryshim, pasi dje në seancë parlamentare, Abdush Demiri si kandidat i opozitës u zgjodh anëtari i shtatë në Komisionin shtetëror Zgjedhor, përcjell TV21. Blerim Sejdiu nga koalicioni VLEN, thotë se kjo fitore u arrit me presion të qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar si SHBA dhe BE. Thekson se për Demirin nuk kanë votuar vetëm pesë deputetë të Selës dhe dy të Levicës.
“Fitoret e opozitës filluan akoma pa ardhur zgjedhjet. Falë presionit të madh të koalicionit VLEN dhe qytetarëve, por edhe presionit të vazhdueshëm ndaj Qeverisë nga partnerët ndërkombëtar SHBA dhe BE, pushteti hibrid i BDI-së dhe LSDM-së, e humbi betejën për kontrollin e plotë të KSHZ-së dhe manipulimin eventual të zgjedhjeve. Por, opinioni duhet ta dijë se për anëtarin shqiptar në KSHZ, nuk votuan vetëm pesë deputetët e Ziadin Selës dhe dy të partisë “E Majta” të Apasievit”, tha Blerim Sejdiu – VLEN.