Bashke

Zyrtari i OKB: Mund të nevojiten 14 vjet për ta pastruar Gazën nga mbeturinat

Mund të nevojiten rreth 14 vjet për ta pastruar Rripin e Gazës nga mbeturinat, përfshirë mjetet e pashpërthyera, që janë lënë nga lufta shkatërruese e Izraelit, tha të premten një zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

Lufta tokësore dhe ajrore e Izraelit kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet te Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e ka rrënuar shumicën e territorit të vogël bregdetar me 2.3 milionë banorë, duke i lënë shumicën e civilëve të pastrehë, të uritur dhe të rrezikuar nga sëmundjet.

Pehr Lodhammar, zyrtar i lartë i OKB-së për veprim kundër minave (UNMAS), tha të premten në Gjenevë se lufta e ka mbushur me 37 miliardë tonë mbeturina territorin e mbipopulluar palestinez.

Ai tha se, edhe pse nuk është e mundur të dihet numri i saktë i mjeteve të pashpërthyera në Gazë, është parashikuar se mund të nevojiten 14 vjet sipas kushteve të caktuara për t’i hequr mbeturinat, përfshirë dhe gërmadhat e ndërtesave të rrënuara.
“Ne e dimë se ekziston një shkallë e dështimit prej 10 për qind të municioneve tokësore që po shkrepen dhe nuk po shpërthejnë”, tha ai.

“Po flasim për rreth 14 vjet punë me 100 traktorë”, shtoi ai.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi pasi pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij sulmi në jug të Izraelit.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë