Bashke

Fundi i shëmtuar i një kampioni bote, Prokuroria antidoping kërkon 4 vite përjashtim për Pogba

Prokuroria e antidopingut ka kërkuar dënimin me katër vjet për Paul Pogba, i cili doli pozitiv për përdorimin e Dhea, të ashtuquajturës “hormoni i rinisë”, pas ndeshjes kundër Udineses më 20 gusht, në të cilën ai nuk zbriti në fushën e blertë.

Mesfushori 30-vjeçar i Juventusit u pezullua më 12 shtator dhe vendimi i drejtësisë sportive u riafirmua më 6 tetor kur analiza e dytë konfirmoi rezultatin pozitiv në testin antidoping që zbuloi substancën dehidroepiandrosteron.

Ndryshe nga çfarë ishte përfolur javët e fundit, për Pogba nuk ka gjasa që të ketë një marrëveshje për pranimin e fajësisë, sepse mesfushori francez do të shkojë në gjyq përpara Gjykatës Kombëtare Antidoping.

Gjyqi pritet të fillojë pas rreth një muaji e gjysmë. Me marrëveshjen për pranimin e fajësisë nuk do të kishte pasur mundësi apelimi, por në kushtet aktuale Pogba mund të gjejë shpëtim duke futur në lojë edhe CAS-in e Lozanës, duke apeluar aty vendimin.

Rreth njëzet ditë më parë agjentja e tij Rafaela Pimenta tha për mediat se bashkë me lojtarin po përgatiten për të apeluar vendimin.

Ky duket të jetë një fund i shëmtuar për karrierën e ish-kampionit të botës, i cili në thelb e ka pranuar marrëzinë përballë drejtuesve dhe stafit mjekësor të Juventusit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë