Bashke

Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit, do ta udhëheq Merita Kollçi Koxhaxhiku

Për sot në ora 11:00 është caktuar seanca konstituive e Kuvendit, të cilën pritet që ta udhëëheqë deputetja më e moshuar e përbërjes së re parlamentare, Merita Kollçi Koxhaxhiku.

Sipas rendit të ditës, seanca plenare ka katër pika.

Pasi të konstatohet kuorumi, zgjedhet përbërja e Komisionit Verifikues të Kuvendit, me propozimin e të cilit Kuvendi i verifikon mandatet e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit, Komisioni Verifikues, dorëzon raport për çdo deputet dhe më pas i njëjti votohet.
Pas kësaj, deputetët do të zgjedhin përbërjen e Komisionit për Çështje Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ndërkaq në fund, deputetët do të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërkaq Kuvendi llogaritet i konstituuar me zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit.

10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e shtetit është e obliguar që ta japë mandatin për formimin e Qeverisë. Mandatari, në afat prej 20 ditësh duhet të dorëzojë në Kuvend program qeveritar dhe propozim të përbërjes qeveritare, që më pas të bëhet votimi në Kuvend me minimum 61 vota.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë