Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës tha të hënën vonë se gjeneratori i vetëm i energjisë elektrike në spitalin “Al-Amal” në Khan Yunis në Rripin jugor të Gazës ka pushuar së punuari, raporton Anadolu.
“Sot, gjeneratori i vetëm i energjisë në spitalin ‘Al-Amal’, i lidhur me Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës në Khan Yunis, pushoi së punuari. Kjo kërcënon jetën e 90 pacientëve që marrin trajtim në spital, përfshirë 25 pacientë në repartin e rehabilitimit mjekësor, të cilët tani përballen me rrezikun e vdekjes në çdo moment”, thuhet në njoftim.
Deklarata konfirmon se rreth 9.000 persona të zhvendosur kanë kërkuar strehim në selinë e shoqatës dhe në spital.
“Spitali tani mbështetet në një gjenerator të vogël për energji elektrike të kufizuar në repartin e maternitetit dhe departamentin e urgjencës me karburantin e mbetur që pritet të mbarojë brenda 24 orëve”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se ndërprerja e funksionimit të gjeneratorit të energjisë ndikon në punën e selisë së shoqatës dhe spitalit “Al-Amal”, ku ndodhet dhoma e operacioneve të urgjencës për Rripin e Gazës, “duke rezultuar në një humbje të komunikimit me dhomat e operacionit në të gjithë Rripin e Gazës”.
Spitali “Al-Quds”, i cili menaxhohet nga Gjysmëhëna e Kuqe, u detyrua të mbyllet të dielën për shkak të mungesës së karburantit dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Në tre ditët e fundit, forcat izraelite kanë intensifikuar praninë e tyre rreth spitaleve në Rripin verior të Gazës mes kërkesave të njëpasnjëshme ndaj banorëve në veri të rripit që të zhvendosen në jug.