Eliminimi nga Champions League djeg ende në kampin e Interit, megjithatë zikaltrit janë të detyruar të hedhin zhgënjimin pas krahëve dhe të kthejnë vëmendjen në kampionat, aty ku të dielën në mbrëmje do të përballen me Napolin në “San Siro”.
Titulli kampion nuk duket më një mision i vështirë, pasi zikaltrit kanë 16 pikë diferencë nga Milani i vendit të dytë, teksa deri në fund të sezonit, objektiv do të jetë ai i thyerjes së disa rekordeve në Serinë A.
Një ndër to është ai i pikëve në një sezon të vetëm, që mbahet nga Juventusi i Antonio Contes me 102 dhe që Interi i Inzaghit ka mundësitë matematike për ta thyer, por për këtë do t’i duhet të mos lërë më shumë se dy pikë në 10 ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit.
Objektivi tjetër lidhet me golat e Lautaro Martinez, që deri tani ka dërguar topin në rrjetë plot 23 herë dhe që ka si synim të provojë të thyejë rekordin që mbahet nga Higuain dhe Immobile me 36 gola sezonalë.
Objektivi i tretë dhe më i rëndësishëm është ai që lidhet me të ardhmen e skuadrës. Asllani, Bisseck, por edhe Buchanan janë tre të rinjtë e talentuar në organikën zikaltër, që pritet të marrin më shumë hapësira dhe të bëjnë një tjetër hap në hierarkinë e formacionit.
Dy të parët kanë luajtur në disa ndeshje si titullarë dhe kanë treguar cilësi për t’u admiruar, megjithatë kanë nevojë për më shumë eksperiencë. Nga ana tjetër, anësori kanadez Buchanan ka luajtur me pikatore dhe synimi i Inzaghit është që ta shndërrojë në një titullar për sezonin e ardhshëm, pasi teknika dhe shpejtësia e tij mund të jenë një armë më shumë për Interin.