Sikur të mos mjaftojnë bizneset e lojërave të fatit, siç jemi të informuar këto ditë, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes
Bashkësive, që drejtohet nga zëvendëskryeministri i “çorapeve me vegëza”, Artan Grubi, u ka shpërndarë para të majme disa organizatave
joqeveritare që janë të afërta me BDI-në ose që drejtohen nga kuadro të larta të BDI-së. Bëhet fjalë për një shumë prej 350.000 EUR, të cilat
kanë përfunduar te njerëz të punësuar në Ministrinë për Sistem Politik, në Ministrinë e Kulturës, zyrtarë të lartë të BDI-së, madje edhe te ish
deputetë e sekretarë shtetërorë.
Që dyshimi të rritet, se bëhet fjalë për larje parash, shërben fakti se disa nga këta persona, që i drejtojnë këto organizata, janë edhe
donatorë zyrtarë të BDI-së. Kjo të detyron të mendosh se bëhet fjalë për manipulim të rëndë financiar, ngase në njërën anë duket se Artan Grubi
ndan para të shtetit për këto organizata, ndërsa në anën tjetër ato i kthehen BDI-së.
Kjo është arsyeja që ne kërkojmë nga Policia Financiare dhe Prokuroria e Përgjithshme që ta hulumtojnë këtë rast dhe ta zbulojnë se cilat janë
arsyet e vërteta që Artan Grubi u ka lëshuar fonde këtyre organizatave, me çfarë mbulese janë lëshuar ato mjete dhe, më e rëndësishmja, ku kanë
përfunduar ato para? Përveç kësaj, presim nga Policia Financiare dhe Prokuroria që ta hetojnë edhe ndërlidhjen mes këtyre fondeve dhe
donacioneve që shkojnë në Bashkimin Demokratik për Integrim ose edhe në xhepat e funksionarëve të caktuar të kësaj partie. Nëse nuk ka hetime,
dyshimi rritet edhe te organet e hetuesisë se po ashtu janë të kapura.
Sidoqoftë, Lidhja Europiane për Ndryshim, pas 8 majit të këtij viti gjithsesi që do të iniciojë procedurë hetimore të kësaj lënde dhe
patjetër që do të ketë përgjegjësi. Nuk mund të lejojmë edhe më që në emër të integrimit evropian, shteti të jetë i kapur dhe korrupsioni të
lulëzojë.