Bashke

Mot i keq në Turqi, 9 viktima dhe 11 marinarë të zhdukur

Edhe Rumania dhe Bullgaria janë përfshirë nga moti ekstrem

9 persona janë gjetur të pajetë në Turqi pas motit të keq, ndërsa fati i 11 marinarëve në Detin e Zi ende nuk dihet.

“9 qytetarë tanë humbën jetën për shkak të stuhive dhe shirave të dendur”,  tha ministri i Brendshëm Ali Gerlikaya në një konferencë shtypi në qytetin Zonguldak ku humbën jetën 4 persona. 5 persona të tjerë, përfshirë 3 fëmijë, humbën jetën nga përmbytjet në qytetin Batman dhe Dijarbakir në pjesën juglindore të vendit.

Trupi i një prej 12 marinarëve, gjurmët e të cilëve humbën në Eregli, një port në qytetin Zonguldak, u gjet në orët e para të mëngjesit. Anija u mbyt të dielën gjatë lundrimit nga porti Eregli, që ndodhet rreth 200 kilometra në lindje të Stambollit.

Këtë të hënë kanë nisur operacionet e kërkimi-shpëtimit, të cilat më parë ishin të pamundura për shkak të kushteve  të motit. Erërat ka fryrë në shpejtësi 130 deri në 140 km/h duke bërë që dallgët të shkojnë 8 deri në 9 metra. Moti i keq ka përfshirë edhe Rumaninë dhe Bullgarinë. Në këtë të fundit u shënuan dy viktima të dielën.

Erërat e forta, të shoqëruara me reshje të dendura shiu dhe bore, shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe bllokuan rrugët në rajonet lindore të të dy vendeve. Në përgjigje të situatës në rajonin e Varnës në Detin e Zi, Bullgaria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Mijëra familje në të dyja vendet mbetën pa energji elektrike dhe ekipet e zjarrfikësve punuan për të larguar 140 pemë të rrëzuara./Klan News

 

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë