Bashke

VLEN: BDI-ja e dogji idenë e presidentit të parë shqiptar

Koalicioni VLEN sloganin e BDI-së “presidenti i parë shqiptar” e vlerëson si slogan bosh dhe të ngjashëm si shumë slogane të tjera që i shpikin para zgjedhjeve dhe që i harrojnë menjëherë pas zgjedhjeve.

“Ditëve të fundit slogani i shumë-përsëritur i BDI-së është togu “presidenti i parë shqiptar”. Sloganet e këtilla boshe, që ata rëndom i shpikin në fushata zgjedhore dhe i harrojnë pas zgjedhjeve, mund të jenë dukur të këndshme dikur, por tashmë janë bërë patetike dhe madje cinike. E vërteta është se idenë e presidentit të parë shqiptar e ka djegur pikërisht BDI-ja dhe Ali Ahmeti. Siç e di tashmë opinioni, koalicioni VLEN qysh në krye të herës kishte deklaruar se kësaj radhe është mirë të kemi vetëm një kandidat shqiptar, sepse, si asnjëherë më parë, në këtë cikël zgjedhor është hapur mundësia të kemi një president shqiptar. Kështu, duke e ditur se Ali Ahmeti edhe më parë ishte shprehur i gatshëm ta mbështeste kandidaturën e Arben Taravarit për president, derisa ai ishte pjesë e shumicës qeveritare, kjo ishte shtytje më shumë edhe për koalicionin VLEN që ta kandidojë pikërisht Arben Taravarin, duke besuar se kështu do ta ketë edhe mbështetjen e BDI-së”, thuhet në njoftimin e VLEN.

VLEN vlerëson gjithashtu se BDI-ja dhe Ali Ahmeti duke e kandiduar Bujar Osmanin për president, në mënyrë të drejtpërdrejtë e sulmuan dhe sabotuan mundësinë e volitshme për një president shqiptar.

“Megjithatë, shumë shpejt u zbulua se BDI-ja nuk e ka pasur hallin te presidenti i parë shqiptar, por thjesht ka bërë kalkulime politike për hesap të dikujt tjetër. Prandaj, sapo e kandidoi koalicioni VLEN Arben Taravarin për president, Ali Ahmeti u desh të zbulohet se për çfarë agjende punon ai dhe partia e tij. Kështu, përveçse përpiqen ta vjedhin idenë e opozitës shqiptare për “president shqiptar”, ata – duke e kandiduar Bujar Osmanin – në mënyrë të drejtpërdrejtë e sulmuan dhe sabotuan mundësinë e volitshme për një president shqiptar. Madje, që hipokrizia e Ali Ahmetit dhe BDI-së të jetë cinike, pikërisht ata që e vlerësonin me nota pozitive Arben Taravarin derisa ishte në koalicion, tash nuk përtojnë edhe ta ofendojnë ulët, vetëm sepse ua ka prishur planet e tyre për të mbetur në pushtet edhe më tej”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë