Bashke

Hyn në fuqi rregullorja, qytetarët e Kosovës nga sot udhëtojnë pa viza në zonën Shengen

Nga sot qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Në vitin 2012, institucionet e Bashkimit Evropian (BE) e ngarkuan Kosovën që të përmbushë 95 kritere për të pasur të drejtën e udhëtimit pa viza.

Procesi u bllokua shumë herë për shkak të dështimit të Kosovës për të përmbushur disa kritere dhe mungesa e vullnetit të palës së BE-së për këtë çështje duke shtuar kritere të reja. Pala e BE-së përdori gjithashtu udhëtimin pa viza si “karrem” ose “shpërblim” për hapat që donte që Kosova të merrte për shumë çështje, përfshirë dialogun e saj me Serbinë.

Qeveria e Kosovës në nëntor dhe dhjetor zhvilloi fushata për të parandaluar ose së paku për të reduktuar migrimin e pritshëm për motive punësimi pas liberalizimit të vizave.

Cilat dokumente udhëtimi nevojiten për të shfrytëzuar udhëtimin pa viza në zonën Shengen?

√ Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);

√ Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit në zonën Shengen;

√ Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;

√ Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;

√ Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;

√ Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.

Çfarë pasoja mund të keni në rast të shkeljeve eventuale?

Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare, shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes së zonën Shengen deri në 5 vite.

Kush nuk mund të udhëtoj në zonën Shengen?

Persona që figurojnë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme. Persona ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet e zonës Shengen, apo kanë qenë subjekt i një urdhër largimi, largimi me forcë (kthimi apo dëbimi), që kryesisht zbatohen për raste të qëndrimit të paligjshëm.

Sa para duhet të kem me vete për të udhëtuar në zonën Shengen?

Kohëve të fundit kemi marr shumë pyetje se sa para duhet ti kemi me vehte ose të deponuara në bankë në mënyrë që të vizitojmë shtetet e zonës Shengen. Duke marr parasysh që #paviza mund të udhëtoni nga 1 janar, 2024 vetëm për vizita afatshkurta turistike ose familjare e atë më së shumti deri në 90 ditë qëndrim në vijim po i japim disa informata praktike.

Si udhëtar/e, me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund të ju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartament apo tek të afërmit tuaj.

Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartament apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë