Sot, kur e shikoj vendin tim, shoh këtë realitet: Maqedonia e Veriut, viti 2023: Vendi sapo ka fituar raportin më të keq për progresin drejt Bashkimit Europian. Negociatat për anëtarësim janë në vdekje klinike. Qeveria ka pranuar kritikat më të ashpra për dështim në kapacitetet e saj reformuese në çdo sferë të qeverisjes. Gjyqësori ka shënuar vlerësimin më të ulët historik sa i përket pavarësisë politike, vendimeve të paanshme dhe integritetit të gjyqtarëve. Korrupsioni është në nivelet më të larta dhe ka kapur çdo sferë të shoqërisë. Gruevski po përgatitet të kthehet në vend si hero dhe kthimin e tij triumfal po e përgatit BDI-ja, ndërkohë që shokët moti i ka të liruar nga çdo dënim për keqpërdorim. Rroga minimale vazhdon të jetë mizore. Të rinjtë për çdo ditë po braktisin vendlindjet e tyre në kërkim të perspektivës më të mirë nëpër vendet e Europes Perëndimore…BOLL ISHTE!
Maqedonia e Veriut e vitit 2023 do të duhej të ishte një vend më i mire për të jetuar. Ky ishte premtimi. Për fat të keq, sot Maqedonia e Veriut është vend më i keq për të jetuar. Maqedonia e Veriut është një vend ku vrasjet nuk zbardhen, hajdutët nuk dënohen, të korruptuarit lëshohen në liri. Maqedonia e Veriut është një shtet ku partia të përzgjedh, partia të punëson, partia të gjykon, partia të dënon, partia të shpërblen, partia të avanson. Dhe ky është paradoksi, kërkuam demokraci, fituam partitokraci!!! Sot ndër shqiptarë është instaluar elita korruptivo-klienteliste e cila për të ruajtur pushtetin do të bëjë aleancë edhe me kriminelët, edhe me vrasësit, edhe me dreqin po qe nevoja! SOT NGA KJO SALLË, TË BASHKUAR NGRISIM ZËRIN: BOLL ISHTE! Për çdo ditë shpërthejnë skandalet e kastës korruptivo-klienteliste në pushtet: SORAVIA, LLOTARIA, ARBËRIA, KSI INTERNATIONAL…Djali, vajza, dhëndri, nipi, kushëriri, bodigardi, shoferi…rrjeti korruptiv i pushtetit nuk ka të ndalur! BOLL ISHTE!
Shteti është i kapur. Sot në vendin tonë mund të jesh biznesmen i suksesshëm, nëpunës i suksesshëm, drejtor i suksesshëm, vetëm nëse pranon tia puthësh dorën ATIJ, TË MADHIT, SRMN-së, MMV-së. BOLL ISHTE!
Sot fati i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut përcaktohet nga bossat e kazinove dhe lojërave të fatit. Sot me fatin e shqiptarëve po luan kumar Artan Grubi me shokët e tij! BOLL ISHTE!
Për ta shpjeguar me fjalë të thjeshta që ta kuptojë secili: Partia ka emëruar puthadorët në pozicionet e rëndësishme financiare – ata kanë për detyrë që të gjejnë mënyrat si të zhvasin njerëzit, të vjedhin paratë e qytetarëve dhe ato para ti drejtojnë tek kompanitë dhe bizneset familjare të tyre. Edhe më thjeshtë: unë, ti, tjetri duhet të japim rushfet nëse duam të mbarojmë punë, afaristët duhet tu japin provizion familjarëve të tyre, vëllezërve të tyre që të munden të fitojnë një tender, drejtorët duhet të bëjnë kontrata qiraje me kompanitë e familjeve të tyre që paratë nga buxheti të shkojnë në adresën e të mëdhenjve…Pra me mundin tonë, djersën tonë, pasurohen dhe llastohen djemtë, vëllezërit dhe nipat e këtyre familjeve, ndërsa qytetari i thjeshtë kërkon mundësinë e parë për të ikur jasht vendlindjes! Dhe mos kini iluzione, këta individë të lidhur fort në strukturën puthadorëse të partisë, ASNJËHERË nuk kanë për tu përgjigjur para ligjit. A e dini PSE? Sepse Prokurori për krim të organizuar që është poashtu anëtar i këtyre familjeve, ASNJËHERË nuk ka për të ngritur procedure ligjore kundër tyre! E edhe sikur ndonjëherë të ngrisë procedure, këto familje janë të siguruara që të ndryshojnë Kodin Penal që askush mos jape përgjegjësi. Më herët thonin Gruevski dhe Familja, tani janë zëvenësuar nga dy familje tjera! BOLL ISHTE! Të gjitha këto dukuri të përcjellura me zyrtarizimin e mosndëshkueshmërisë, e bënë të domosdoshme nevojën për një alternative. LIDHJA EUROPIANE PËR NDRYSHIM lindi si një antipod e krizës në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare. LIDHJA lindi për tu bërë zëri i të gjithë atyre që nuk kanë adresë ku të raportojnë korrupsionin, i atyre që degradohen në vendin e punës nëse nuk mendojnë siç thotë partia, i atyre që presin mëshirën e partisë për të zgjidhur problemet elementare para se të vendosin të shpërngulen!
Lidhja Europjane për Ndryshim paraqet bashkim të mirëfilltë të njerëzve të ndershëm të cilët përpiqen të mbijetojnë në këtë kohë pa kohë. Të etiketuarit, të përjashtuarit, të papërfillurit, të padëgjuarit, të përndjekurit, këta janë ZËRI I LIDHJES TONË! Të gjithë ata që besojnë në demokracinë si sistem i diversitetit, i lirisë së mendimit dhe shprehjes, si shans për përparim për secilin individ, këta janë FUQIA JONË! Në një kohë kur pushteti, duke përdorur metodat e njohura të regjimeve diktatoriale, po përdorë çdo mekanizëm institucional për të urdhëruar dhe realizuar përçarjen ndër shqiptare dhe lindjen e partive-njeri për çdo ditë, Lidhja Europiane për Ndryshim është këtu për të thënë: TANIMË SHQIPTARËT KANË ZGJIDHJE! OPOZITA E BASHKUAR JEMI NE!
Dhe sot jemi këtu për tua bërë me dije të gjithve se kjo Lidhje paraqet mobilizim politik, shoqëror, intelektual, arsimor, ekonomik sepse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut meritojnë të jetojnë më mire, më sigurtë, me më shumë shanse për prosperim në vendin ku kanë lindur! Kjo opozitë është platformë politike e cila bashkë me shoqërinë civile, me të gjithë ata që mendojnë ndryshe është vendosur për ta mposhtur krimin e organizuar të sponsorizuar nga partia në pushtet.
Prandaj, BOLL ISHTE HESHTJE, BOLL ISHTE FRIKË, BOLL ISHTE APATI, BOLL ISHTE NJËMENDËSI!
Ka ardhur koha për BASHKIM, KA ARDHUR KOHA për LIDHJEN EUROPIANE PËR NDRYSHIM!