Lajmet për presione politike ndaj administratorëve shqiptarë shtohen çdo ditë e më shumë, ndërsa paraqiten në forma nga më të vrazhdat. Rasti më i fundit është ai i Florim Arifit, i cili është djalë dëshmori dhe për 14 vite punon në Gjykatën Themelore të Tetovës, ndërsa drejtpërdrejt akuzon partinë e Grubit se nuk mund të avancohet në asnjë mënyrë, edhe pse i plotëson kushtet dhe konkuron për pozitë që i takon.
“Që nga fillimi i punës në gjykatë para 14 viteve, së fundmi jam caktuar në Zyrën e gjendjes civile nga ana e kryetarit të Gjykatës, si referent i ri. Dua ti njoftoj mediat se kishte një shpallje të brendshme për avancim të të punësuarve, dhe unë jam paraqitur për pozitën referent i pavarur, sepse i plotësoj të gjitha kushtet për atë pozitë, ndërsa më datë 8 Nëntor 2023 kandidatët u intervistuan nga komisioni, të gjithë ata që konkuruan janë thirrur, vetëm unë nuk jam thirrur”, thotë Arifi i cili akuzon kryetarin e gjykatës për shkelje ligji, dhe kërkon nga ai shpjegim se pse nuk është avancuar, dhe pse nuk i jepet vendim që të mund të ankohet në instancat më të larta.
‘Kryetari i Gjykatës sillet në gjykatë sikur të ishte gjykata e tij private dhe jo një institucion shtetëror. Ka avancuar të gjithë edhe korrierët, shoferët dhe referentët në referent të pavarur’, akuzon Arifi.
Në gjykatë zotëron një atmosferë kaosi e krijuar nga kryetari i Gjykatës së Tetovës, thotë Florim Arifi, djalë dëshmori nga lufta e vitit 2001.
Arifi thotë se kryetari i Gjykatës ka blerë dy vikend shtëpiza në Kodrën e Diellit dhe një shtëpi në Gjermani, dhe kërkon nga Komisioni anti-korrupcion ta hulumton veprimtarinë e tij korruptive./aktuale.mk